“Shumica e asimilon pakicën”, Kadilli: Sfidë, përmirësimi i statutit dhe ndryshimi i mentalitetit

Nga A2 CNN
8 Prill 2022, 21:20 | Politikë
“Shumica e asimilon pakicën”, Kadilli: Sfidë,

Ndjehet mirë që një pjesë e tezave të tij të manifestit politik janë përfshirë në statutin e PD-së, por Fatbardh Kadilli thekson se beteja e tij nuk mbaron këtu. Në intervistën me Merita Haklajn ish-kandidati për kreun e Partisë Demokratike rrëfen se sfidat më të mëdha të tij për PD-në janë përmirësimi i statutit dhe ndryshimi i mendësisë. Për këtë të fundit ai thotë se është një mentalitet i rrezikshëm që duhet sfiduar, pasi shumica e asimilon pakicën. Sipas tij sjellja që kërcënon sot PD-në është adhurimi ndaj liderit.

“Ndihem mirë kur tezat mbështeten e zënë vend, si ajo e kufizimit të mandatit me humbjen e kryetarit dhe vendosja e primareve. Ndjehem mirë se ajo përpjekje që nisi Berisha për interesat e tij politike, përdori një pjesë të manifestit. Mua me intereson që ai skeleti i PD është formatuar në një pjesë të asaj që unë propozova një vit më parë. Motoja ime është çdo lloj kryetari jo vetëm z. Basha. Beteja ime nuk mbaron me përfshirjen në statut për kufizimin e mandatit dhe primaret. Nuk mjafton një copë letër. Beteja ime lidhet me një statut më të mirë se ky i datës 11, ndryshimet të jenë efektive dhe beteja me mendësinë. Sfidat më të mëdha janë përmirësimi i statutit që ato që u vendosën, të zbatohen. Duhen garanci të forta që të bëhen realisht primare, duhet betejë me mentalitetin. Kemi një mentalitet të rrezikshëm që duhet sfiduar që është nënshtrimi ndaj shumicës dhe adhurimi për liderin. Nuk na shkon si parti e djathtë të bëhemi bolshevikë. Shumica e asimiloi pakicën por pakica ka disa arsye që ekziston dhe arsyet e saj më të duhura për të bërë politikë. Nëse ne me autoritetin e shumicës i imponohemi pakicës e asimilojmë. Sjellja e sotme që kërcënon PD-në është adhurimi për liderin, për Berishën dhe presioni i shumicës”.

Problemi kryesor për Kadillin është se a do të ketë PD një projekt politik që të jetë ndryshe nga ajo e Berishës dhe e Bashës.   

“Manifesti për ringritjen e PD është që të jetë ndryshe nga PD e Berishës dhe Bashës.  Berisha zgjodhi ato që i përshtateshin dhe mënjanoi të tjera, sepse ai do të kontrollojë partinë, ka magnetizmin e liderit, të pushtetit dhe pati njerëz që e menduan si instrument për zgjidhjen e krizës dhe ajo krizë nuk u zgjidh. Problemi është kjo parti a do të ketë projekt politik. Kjo nuk ekziston vetëm për të qenë mirë ne në politikë. Dhe ky projekt që duket sikur Berisha mori partinë është ndërprerë, projekti, njerëzit që mbështesnin Berishën ishin dy palë ata që e mbështesnin dhe ata që urrenin Bashën. Ajo që ndodhi atë ditë në 8 janar nuk ishte projekt e as parti, ishte një përplasje bandash e klanesh. Berisha të priste vendimin e gjykatës, pse nxitoi?”.

Për Kadillin, ajo që po ndodh tashmë në PD është një proces asgjësimi të antirezistencës dhe jo bashkim. Sipas tij duhet refuzuar edhe kultura berishiste dhe PD duhet të bashkohet në vlera dhe ide për t’u ringritur, por nuk mund të ndodhë deri në kuvendin e 30 prillit, pasi nuk ka kohë.

“Nuk ka kohë se janë pak javë deri më 30 prill. Në këto pak javë duhen të akomodohen shumë gjëra si projekte alternative, projekti i Berishës që është pa tekst, sot nuk ka ç’thotë pasi largoi Bashën, njerëzit në politikë kanë hyrë në karrierë si do t’i akomodojë karrierat e tyre. Dhe e treta si do të komunikojë kjo parti përtej vetes. Si mund të bëhet partia më e madhe se kryetari. Unë çmoj vullnetin politik. Rekrutimi i ishujve të rezistencës së Berishës nuk është bashkim, kjo që po shohim është një proces asgjësimi të antirezistencës. Kjo parti ka histori me antiberishizmin, refuzim i kulturës së Berishës, që është refuzuar që në ‘92, ‘97 e më vonë gjithnjë ka pasur refuzim, disa individë e kanë përdorur. Është arsye politike që njerëzit e mendojnë kështu dhe kjo e bën partinë më të vogël se Berisha. Edhe Berisha ka humbur dhe s’duhet të kthehet, të mos merremi me Berishën e Bashën, por me projektin politik, të bashkohemi te vlerat dhe të sjellim një projekt politik, si bëhet qeverisja më e mirë”.  

Dhe në këto kushte kur PD nuk thith dot të gjithë anëtarësinë e saj, sipas Kadillit si mund të sjellë energji dhe ide të reja pranë vetes, ndërsa këmbëngul në vijimin e betejës së tij politike deri në formatimin e projektit të tij.

“Mendoj që jemi në të njëjtin hall si me ata me Berishën e me ata me Bashën. Unë dua të bëj betejën politike dhe do ta vazhdoj deri kur të shoh që kjo parti të formatohet në letër sipas atyre që kam projektuar. Kjo parti nuk thith dot brenda vetes të gjithë anëtarësinë e saj jo më të sjellë energji e ide kauza nga shoqëria dhe t’i bëjë pjesë të vetes. Këtë e pengon lidershipi dhe mbajtja zvarrë e ndryshimit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos