
Në korrik të vitit 2021, pak kohë para se të nisnin ndryshimet në Policinë e Shtetit, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i paralajmëroi ato duke thënë se shumë shpejt ato do të jenë të prekshme.
I vetmi ndryshim i prekshëm ishte zgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm, Gledis Nano, ndërsa ato që ministri i Brendshëm i konsideronte si ndryshime në të gjithë kapilarët e policisë në të vërtetë ishin riciklimi i të njëjtëve emra drejtuesish, por që merrnin drejtori të reja.
Pak muaj pas zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm, detyrë të cilën e mori në tetor, ajo që vihet re është se ndonëse statistikat tre mujore të punës ende nuk janë bërë të ditura për mediat, realiteti kriminal sidomos ai i vrasjeve tregon kurbë tjetër.
Nga tetori e deri më tani në të gjithë vendin janë regjistruar 9 vrasje për të cilat nuk dihet asgjë dhe vijojnë të mbeten të pazgjidhura. Ndonëse raporti i zbardhjes sipas statistikave të policisë është 17 ngjarje të zgjidhura në krahasim me 9, në të vërtetë ajo që i zbardh faqen policisë në statistika, por jo në parandalimin e 17 krimeve ndaj jetës janë gjakmarrja dhe krimet në familje.
9 vrasjet mafioze si gjithmonë vijojnë të jenë në hetim. Sikur mos të mjaftonte kjo “modus operandi“ i grupeve ka filluar të ndryshojë.
Ndonëse mosgjetja e makinave të krimit u vu re që në vitin 2021 me eliminimin e Bledar Birçaj në Vlorë, makinat e atentatorëve nuk u gjetën as në nëntor në zonën e Astirit, në ekzekutimin e Can Kariçit në Kamzë në dhjetor, pak kohë më parë në autostradën Tiranë-Durrës, në vrasjen e Iljaz Calit apo dhe deri në eliminimin e kësaj të marte në Shkodër.
Diçka e tillë thuajse e ka bërë inekzistent reagimin e policisë e cila nëse pak kohë më parë hetonte makinat dhe armët e djegura, tashmë nuk i ka mbetur të hetojë asgjë. (A2 Televizion)