
Pedagogët vijojnë protestën për plotësimin e kërkesave që i kanë drejtuar qeverisë, kërkesa të cilat nëpërmjet një letre të hapur ia parashtruan drejtuesve më të lartë të shtetit dhe përfaqësive ndërkombëtare në vend.
Kreu i sindikatës Sandër Kovaçi nënvizoi se synimi i protestës së tyre është rritja e cilësisë së arsimit, ndërsa i kërkoi kryeministrit të ndalojë intimidimin ndaj pedagogëve.
“Letër e hapur drejtuar Presidentit, Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit, për dijeni Ambasadës Amerikane, Ambasadës së Britanisë dhe shteteve të BE-së në vendin tonë.
Prej më se dy javësh trupa akademike ka filluar protestat. Gjykojmë se mungesa e mbështetjes ka ndikuar në largimin e rinisë së vendit, është larguar një pjesë e stafit akademik. Boshatisja e auditorëve është çështje e njohur tashmë.
Qeveria është përpjekur t’i konsiderojë politike, me qëllim për t'i lënë të pazgjidhura këto kërkesa. Çdo kërkesë e paraqitur ka si synim rritjen e cilësisë së arsimit, frenimin e largimit të rinisë.
Me anë të kësaj letre të hapur, synojmë t’iu informojmë duke kërkuar mbështetje për situatën aktuale. Rama të ndalojë intimidimin dhe të trajtojë me seriozitet kërkesat.
Të plotësohen kërkesat për të marrë fund bojkoti dhe të rinisë mësimdhënia”. (A2 Televizion)