
CIA deklaroi se po përpiqet të përcaktojë shkakun e sindromës “Havana”, që ka përfshirë një sërë diplomatësh amerikanë.
Kreu i inteligjencës, William Burns, deklaroi se ekziston një mundësi shumë e madhe që simptoma të shkaktohet qëllimisht. Ai tha se ka caktuar dikë për të udhëhequr një task-forcë, që heton sindromën.
“Jam absolutisht i vendosur për të gjetur përgjigjen se çfarë dhe kush e shkakton këtë”, tha Burns.
Gjendja misterioze shëndetësore, është quajtur Sindroma e Havanës, sepse është shfaqur për herë të parë në Ambasadën amerikane në Havanë, në vitin 2016, duke prekur dhjetëra diplomatë. Diplomatët amerikanë në Havana në atë kohë u ankuan për humbje ekuilibri, dëgjimi dhe ankth. SHBA akuzoi Kubën për këto “sulme”, gjë që u mohua kategorikisht, duke çuar në rritjen e tensioneve mes dy vendeve.
Në vitet më pas, dhjetëra raste të reja janë raportuar në objektet diplomatike të SHBA-së në Kinë, Rusi, Evropë dhe Azi Qendrore.
Kjo sindromë është ende e pashpjeguar, por shkencëtarët amerikanë dyshojnë se ajo është shkaktuar nga rrezatime mikrovalësh të drejtuara. (A2 Televizion)