Situata në Shoqatën e Bashkive, organizata e KE-së: Uluni në dialog, mund të ngrijmë statusin e ShBSh

Nga A2 CNN
21 Qershor 2021, 15:31 | Politikë
Situata në Shoqatën e Bashkive, organizata e KE-së: Uluni në

Komiteti i Politikave të Bashkive dhe Rajoneve, organizatë e Këshillit Europian ka reaguar mbi situatën e krijuar në Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë pas shkarkimit të Voltana Ademit dhe emërimit në krye të saj të Pjerin Ndreut.

Organizata europiane në të cilën bëjnë pjesë 41 shtete dhe 60 shoqata bashkish u ka bërë thirrje palëve të përfshihen në dialog politik e teknik për gjetjen e një zgjidhjeje legjitime.

“Duke pasur parasysh rolin tonë të rëndësishëm në përfaqësimin e qeverisjes vendore europiane dhe shoqatave përkatëse, ju bëjmë thirrje palëve të interesuara dhe dy shoqatave të nisin menjëherë dialogun politik dhe teknik për të arritur një vizion të përbashkët në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe në respekt të legjitimitetit të njëri tjetrit”, thuhet nga organizata.

Në reagim paralajmërohet se mund të ngrihet statusi i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, deri në gjetjen e një zgjidhjeje.

“Në përputhje me parimet e Kartës Europiane për Autonomi Vendore dhe parimet e CEMR për pluralizëm politik dhe vlera demokratike, ne do të ngrijmë statusin e anëtarësisë së ShBSh deri në gjetjen e një zgjidhjeje mes palëve”.

Pas emërimit të kryebashkiakut socialist të Lezhës, Pjerin Ndreu në krye të Shoqatës së Bashkive, ish-drejtuesja e djathtë, Voltana Ademi ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë të mos e certifikojnë zgjedhjen e tij duke e vlerësuar procesin si jokushtetues. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos