
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, reagoi ashpër këtë të diel pas vendimit të Australisë për të deportuar yllin serb të tenisit Novak Djokovic, në prag të Australian Open pasi ai udhëtoi pa u vaksinuar.
Brnabic e quajti vendimin e Gjykatës së Apelit si skandaloz, ndërsa shtoi se 34-vjeçari do të jetë gjithmonë i mirëpritur në atdheun e tij. Vendimi unanim i tre gjyqtarëve i dha fund shpresave të Djokovic për të synuar rekordin e 21-të Grand Slam në Australian Open.
“Mendoj se vendimi i gjykatës është skandaloz. Më duket e pabesueshme që kemi dy vendime gjykate krejtësisht kontradiktore brenda harkut të vetëm disa ditësh”, tha Brnabic për mediat në Beograd.
“Jam e zhgënjyer. Ky vendim tregoi se si funksionon sundimi i ligjit ose më mirë të themi se si nuk funksionon në disa vende. Në çdo rast, mezi pres të shoh Djokovic në atdheun tonë, në Serbi”, shtoi kryeministrja.
Djokovic fluturoi nga Australia në Dubai pasi tha në një deklaratë të shkurtër se ishte jashtëzakonisht i zhgënjyer nga vendi i gjykatës dhe se do ta respektonte atë. (A2 Televizion)