
Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për ish-kryetaren e Gjykatës së Krujës, Enkeljda Hoxha, dhe 9 të hetuarit e tjerë për korrupsion në burgje, duke dërguar dosjen në Gjykatë.
Hoxha u arrestua në shkurt të këtij viti bashkë me 9 persona të tjerë. SPAK dyshon se ajo përfitonte ryshfet nga 6-12 mijë euro për uljen e dënimit të të dënuarve të Fushë-Krujës, skenë nga e cila janë liruar para kohe Endrit Dokle, Hekuran Billa e Ilir Paja.
Ish-gjyqtarja qëndron në paraburgim prej 5 muajsh, pasi dyshohet të jetë përfshirë në një skemë korrupsioni për lirimin e të dënuarve nga burgu.
Në seancën e fundit në Apel, Hoxha e argumentoi kërkesën për liri me gjendjen e vështirë të familjarëve të saj dhe nevojës për të qenë pranë fëmijëve, njëri prej të cilëve me nevoja të veçanta. (A2 Televizion)