Spitali i Fierit, Manastirliu: Gati për të hapur dyert

Nga A2 CNN
21 Prill 2021, 09:19 | Aktualitet

Spitali i Fierit është gati për të hapur dyert. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka prezantuar nga brenda spitalin e ri, i financuar nga qeveria turke.

“Ky spital, një strukturë moderne me 150 shtretër, do të rrisë aksesin për shërbimet spitalore. Një spital i cili do të plotësojë nevojat e rajonit jugor të Shqipërisë por edhe do të kombinojë shërbimet, për të lehtësuar edhe për të krijuar akses më të shpejtë për shërbime të cilët janë të planifikuara dhe këtu, pra mund të krijohet një shpejtësi në marrjen e shërbimeve, por mbi të gjitha një shërbim të specializuar”, tha Manastirliu.

Sikurse njoftohet, spitali Memorial Rajonal Fier do të jetë spitali parë ku do të zbatohet autonomia spitalore, një mënyrë e re menaxhimi spitalor, për të cilën Manastirliu tha se do të bëhet dhe transferimi i dijeve nëpërmjet stafeve që kanë ardhur dhe do të vijnë.

Duke folur për stafin, Manastirliu tha se përzgjedhja ka qënë përmes një procesi transparent dhe se në këtë spital do të shërbejnë 398 punonjës, ndërkohë që rekrutimi i personelit shëndetësor dhe administrativ vazhdon.

“Kemi filluar në fazën e parë të përzgjedhjes të stafit mjekësor dhe infermieror. Dhe do të kalojmë direkt në stafin administrativ. Por risia në këtë strukturë apo në këtë mënyrë të re menaxhimi të spitalit është që do të jetë një bashkëpunim dhe një menaxhim në bashkëpunim me kolegët turq. Janë në tërësi 398 punonjës në këtë spital dhe 56 prej tyre janë planifikuar që të vijnë nga sistemi shëndetësor turk, qofshin këta profesorë të shërbimeve të ndryshme dhe gjithashtu dhe stafi drejtues administrativ”, ka bërë me dije Manastirliu.

Ky spital do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë, e të tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos