UEFA akuzon për provokime, Kosova ankesë zyrtare: Serbët treguan se urrejnë shqiptarët

Nga Xhevahir Qardaku
17 Qershor 2024, 19:03 | Live Euro 2024

UEFA ka akuzuar tifozerinë dhe Federatën Serbe të Futbollit për veprime antisportive në ndeshjen e luajtur të dielën me Anglinë në kampionatin europian në Gjermani.

Sipas asaj që raportohet, akuza ka të bëjë me lëshimin e sendeve në fushë dhe paraqitjen e mesazheve provokative. Tifozët serbë provokuan gjithë ditën shqiptarët, duke nisur me koret kërcënuese, imazhet provokuese me shkrimin “Kosova është Serbi”, deri te glorifikimi i kriminelëve të luftës si Ratko Mlladiç e deri te koret pro Rusisë dhe Putinit.

UEFA ka hapur edhe një hetim disiplinor për sjelljet diskriminuese të tifozëve serbë. Kjo vjen pasi Federata e Futbollit e Kosovës bëri një ankesë zyrtare duke akuzuar tifozët serbë për sjellje shoviniste me kore raciste kundër Kosovës.

“Përmes thirrjeve të tilla dëshmohet urrejtja e mbjellë në opinionin publik në Serbi ndaj fqinjëve të saj”, thuhet në reagim. Gjithashtu kërkohet që UEFA të bëjë çmos për të shmangur sjellje të tilla nga Serbia në ndeshjet e radhës. Ndërkohë, UEFA ka ngritur hetime edhe ndaj tifozëve shqiptar në ndeshjen ndaj Italisë në Dortmund për hyrjen e tifozit në fushë, si dhe fishekzjarrët e hedhura në stadium. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos