Apeli fal Tiranën, derbi me Partizanin luhet me tifozë

Nga Erald Kodhelaj
25 Nëntor 2024, 16:38 | Futboll

Apeli fal Tiranën, derbi me Partizanin luhet me tifozë

Ajo që pritej ndodhi. Falja e dënimit për Tiranën, e cila përflitej prej javësh në korridore, u kthye në realitet. Komisioni i Apelit vendosi të shfuqizojë dënimin e 1 nëntorit 2024, sipas të cilit klubi bardheblu do ti luante të gjitha ndeshjet deri në fund të sezonit pa tifozë.

Kjo do të bëjë që derbi i kësaj fundjave, Tirana-Partizani të luhet me spektatorë. Pas atmosferës së zjarrtë të tifozëve në ndeshjet e Kombëtares, kryeqyteti do të ndizet edhe nga entuziazmi i tifozëve në kampionat.

Vendimi i atëhershëm i Disiplinorit u dha pas hedhjes së lëndëve plasëse në fushë, në ndeshjen Tirana-Vllaznia, ku për pasojë mesfushori Esat Mala u transportua në spital.

Ai dënim, u cilësua më i ashpër nga sa duhej dhe shkaktoi dënim kolektiv për përgjegjësinë e ngjarjes, teksa shkaktarë ishin vetëm disa individë. Për më tepër mbyllja e dyerve të stadiumit për Tiranën shkatërronte atmosferën e derbit, në një moment kur stadiumet shqiptare po vuajnë mungesën e tifozëve.

Bardheblutë e apeluan vendimin dhe arritën të rikthejnë tifozët në derbi. Dënimi ndryshoi nga “të gjitha ndeshjet pa tifozë në vetëm 8ndeshje me dyer të mbyllura”. Teksa Tirana e ka vuajtur dënimin në tre javët e fundit, pesë javët e mbetura janë falur me kusht.

Mbështetësit bardheblu do të kthehen në tribuna prej derbit, me klubin që mbetet në periudhë prove. Kjo do të thotë që nëse ngjarjet përsëriten deri në fund të sezonit, atëherë dënimi i fushës do të kthehet në fuqi. Derbi Tirana-Partizani do të luhet këtë të diel, prej orës 19:00 në stadiumin në “Arenën Kombëtare”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos