Kampionati grek i futbollit është pezulluar përkohësisht për shkak të një bojkoti nga gjyqtarët dhe delegatët, të cilët protestojnë për kushtet e pasigurta me të cilat ata përballen gjatë ndeshjeve.
Kohët e fundit arbitrat grekë janë bërë shpesh herë pre e sulmeve të tifozëve, teksa disa prej tyre janë përballur me akuza për korrupsion dhe përfshirje në trukim ndeshjesh.
Muajin e kaluar gjyqtari Andreas Gamaris u sulmua nga huliganët me bomba molotov, ndërsa së fundmi, Tasos Papapetrou mori kërcënime me vdekje për vendimet e tij në një ndeshje.
Në një letër të hapur për publikun, gjyqtarët shprehën problemet e tyre dhe kërkuan mirëkuptimin e publikut për këtë vendim të tyre, që shprehen se është në të mirë të futbollit.
“Ne përballemi me kërcënime, dhunë, sulme fizike dhe verbale, të cilat mbeten të pandëshkuara. Prandaj, ne kemi vendosur të mos gjykojmë në ndeshjet që fillojnë fundjavën e ardhshme derisa të garantohet siguria jonë”, shkruhet mes të tjerash në letër. (A2 Televizion)