Mungonte prej 10 marsit për shkak të një dëmtimi të rëndë, por Ardian Ismajli është rikthyer si një lojtar i madh këtë të diel në sfidën e mbijetesës që Empoli luajti ndaj Frosinones në Serie A.
Takimi u mbyll me rrjeta të paprekura, me Ismajlin që u vlerësua me notën 7,4, e dyta më e mirë pas portierit të Empolit. Mbrojtësi kuqezi ishte një siguri konstante për vendasit në këtë sfidë, të cilët ndodhen në kuotën e 32 pikëve në kampionat, 3 më shumë se Udinese, e cila aktualisht është në zonën që të çon në Serie B.
Në fundin e takimit, Ismajli nuk e harroi as Marvin Çunin, të cilin e pati kundërshtar për disa minuta në këtë sfidë. Dy futbollistët e kombëtares shtrënguan duart miqësisht, me mendjen në Europian. Sylvinho tashmë ndjehet më i sigurt duke llogaritur edhe mbrojtësin, i cili mbajti një peshë të madhe në ndeshjet eliminatore, që e çuan Shqipërinë në Euro 2024.
I pranishëm në tribunat e Empolit në këtë sfidë ishte edhe kampioni i Italisë, Kristjan Asllani, i cili u rikthye si një tifoz në këtë stadium nga ku hodhi hapat e para si profesionist në futbollin italian. (A2 Televizion)