
Policia e Shtetit ka arrestuar në Serbi një shtetase shqiptare të kërkuar ndërkombëtarisht për vjedhje me dhunë. 23-vjeçarja nga Tropoja u arrestua në Serbi në operacionin ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet policore serbe, të koordinuar nga Drejtoria e Interpolit.
Ajo ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2024 Gjykata e Kukësit e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim. Dënimi lidhet me një ngjarje të ndodhur në vitin 2021, në fshatin Dojan, në Tropojë.
Sipas policisë, 23-vjeçarja me iniciale R. R., në bashkëpunim me shtetasin V. M., i ka vjedhur me dhunë një shtetaseje një telefon celular dhe një shumë parash në euro. Pas kryerjes së veprës penale, ajo ishte larguar jashtë vendit për t’iu shmangur drejtësisë.
Strukturat policore homologe po bashkëpunojnë për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 23-vjeçares, në Shqipëri. (A2 Televizion)