Harry Kane duhet të presë për titullin e parë në karrierë. Kur kanë mbetur edhe 3 ndeshje nga fundi i Bundesliga-s, Bayern nuk arriti të siguronte matematikish kampionatin, pasi u ndal në barazim 3-3 në fushën e Leipzig, shkruan A2 CNN, pas një goli të pësuar në sekondat e fundit. Megjithatë, suksesi është shumë pranë tashmë, pasi skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany ka një avantazh prej nëntë pikësh dhe një golavarazh prej +30 ndaj ndjekësve të Bayer Leverkusen.
Edhe pse pa sulmuesin kryesor Harry Kane, i pezulluar për këtë takim, Bayern kishte shpresuar të festonte titullin që këtë fundjavë. Megjithatë, Leipzig e nisi më mirë ndeshjen, duke krijuar disa raste të pastra në fillim. Portieri Jonas Urbig bëri një pritje të shkëlqyer ndaj Haidara, ndërsa Šeško gaboi nga afër pas një pasimi të bukur nga Xavi Simons.
Leipzig kaloi në epërsi pas një kundërsulmi të shpejtë ku Šeško realizoi një gol të bukur me të jashtmen, me Urbi shumë larg portës, pas një pasimi tepër të saktë nga Xavi. Në minutat në vazhdim, Leipzig dyfishoi me një goditje me kokë – më saktë me vesh – nga Klostermann pas një krosimi të Raum.
Në pjesën e dytë, Bayern reagoi fuqishëm. Eric Dier ngushtoi diferencën me një goditje me kokë nga këndi i Olise, i cili shënoi vetë vetëm 46 sekonda më vonë pas një asisti nga Gnabry. Bayern përmbysi rezultatin përkohësisht me një gol të bukur nga Leroy Sané, pas një pasimi të Kimmich.
Por në minutën e fundit, Xavi Simons pasoi për Yussuf Poulsen, i cili e kaloi topin mbi Urbig për të vulosur barazimin. Tashmë, çdo pikë tjetër ose një hap fals i Leverkusen të dielën do t’i japë zyrtarisht Bayernit titullin e 12-të në 13 sezonet e fundit. (A2 Televizion)