Japonia realizoi një përmbysje spektakolare përballë Brazilit në Tokio, duke fituar 3-2 në miqësoren ndërkombëtare dhe duke shënuar fitoren e parë në histori ndaj “Seleção”-s.
Brazilianët, nën drejtimin e trajnerit Carlo Ancelotti, nisën më mirë dhe dominuan pjesën e parë. Pas disa rasteve të humbura nga Japonia, mysafirët kaluan në avantazh në minutën e 26-të me golin e mbrojtësit Paulo Henrique, pas një kombinimi të bukur me Bruno Guimarães. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Gabriel Martinelli dyfishoi rezultatin pas një asistimi të saktë nga Lucas Paquetá, duke i dhënë Brazilit epërsinë 2-0 në pushim, shkruan A2 CNN.
Në pjesën e dytë, Japonia reagoi fuqishëm. Takumi Minamino shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes braziliane dhe shënoi golin e parë në minutën e 52-të. Dhjetë minuta më pas, Keito Nakamura barazoi rezultatin pas një pasimi nga Junya Itō.
Kulmi i emocionit erdhi në minutat e fundit, kur Ayase Ueda shënoi me kokë pas një goditjeje nga këndi, duke përmbysur rezultatin në 3-2 dhe siguruar një fitore historike për Japoninë ndaj pesë herë kampionëve të botës. (A2 Televizion)