Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2024 në Komisionin e Ligjeve, ngriti një sërë problematikash që po përballon institucioni që ai drejton.
Një ndër çështjet mbi të cilave vendosi theksin ai ishte mungesa e një portofoli digjital për ruajtjen e kriptovalutave të sekuestruara nga Prokuroria e Posaçme.
“Vetëm gjatë vitit 2024 kemi sekuestruar mbi 11 milionë euro pasuri në kripto. Ndodhemi aktualisht në proces sekuestrimi të një shume edhe më të madhe, por përballemi me vështirësi për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme”, tha Dumani.
Ai theksoi se SPAK nuk ka aktualisht një portofol digjital zyrtar për menaxhimin dhe ruajtjen e kriptovalutave që bllokohen gjatë hetimeve. Dumani kërkoi ndryshime në legjislacionin përkatës, përfshirë edhe ligjin nr. 1902, që rregullon çështjet e konfiskimeve dhe pasurive të sekuestruara.
Në fjalën e tij, Dumani foli edhe për presione të vazhdueshme nga faktorë politikë, mediatikë dhe nga grupet e krimit të organizuar, të cilat sipas tij cenojnë integritetin e prokurorëve dhe vijimësinë e hetimeve.
Ai gjithashtu nënvizoi sfidat në bashkëpunimin ndërkombëtar, veçanërisht për ekstradimet. Dumani përmendi konkretisht vështirësitë me ekstradimin e shtetasve shqiptarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, që ndodhen në kërkim për çështje të rënda kriminale nën hetimin e SPAK.
“Ka ende paqartësi lidhur me ndarjen e kompetencave me Prokurorinë e Përgjithshme, sidomos në njohjen e vendimeve të huaja dhe çështjet e ekstradimit”, u shpreh ai.
Altin Dumani kërkoi gjithashtu ngritjen e një njësie të posaçme analitike brenda SPAK, për të përforcuar kapacitetet hetimore, si dhe përshpejtimin e procesit të digjitalizimit të çështjeve, që ende është në zhvillim. (A2 Televizion)