Broja mbron Manajn: Penallti humbin edhe Ronaldo e Messi

Nga A2 CNN
7 Qershor 2025, 23:54 | Futboll
Broja mbron Manajn: Penallti humbin edhe Ronaldo e Messi

Pas barazimit 0-0 në përballjen ndaj Serbisë më 7 qershor 2025 në Tiranë, sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Broja shprehu zhgënjimin e tij dhe të skuadrës për rezultatin, por edhe krenarinë për mënyrën si luajtën.

“Serbia është ekip i vështirë, patëm disa raste për të shënuar dhe normalisht je i mërzitur. Nuk besoj se ata bënë diçka më shumë. Ne luajtëm më mirë,” tha Broja menjëherë pas ndeshjes, duke theksuar se kuqezinjtë dominuan në lojë, por nuk arritën të konkretizojnë me gol.

Sipas tij, barazimi nuk pasqyron realisht atë që ndodhi në fushë. “I gjithë ekipi është i mërzitur se meritonim më shumë. Na mungoi goli,” deklaroi sulmuesi shqiptar, i cili e vlerësoi performancën e skuadrës si të angazhuar dhe të bashkuar.

Në vijim, Broja tregoi se brenda grupit mbizotëron një frymë e fortë solidariteti:

“Kemi grup super, me çuna super, lojtarë shumë të mirë. Jemi bërë edhe më shumë bashkë si ekip,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se pavarësisht pengesave, fryma në ekip është pozitive dhe besimi është i lartë.

Ndërsa komentoi për penalltinë e humbur nga Manaj, Broja u tregua mbështetës:

“Penalltia e humbur nga Manaj i ndodh kujtdo, Messit, Cristianos, çdo lojtari.” Kjo deklaratë tregon qartë ndjenjën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mes lojtarëve, si dhe maturinë që ka fituar ky brez futbollistësh.

Ndonëse pa fitore, Shqipëria tregoi karakter dhe ambicie në një sfidë të vështirë dhe të ngarkuar emocionalisht. Kombëtarja tani do të synojë që të ruajë këtë frymë pozitive dhe të rikthehet te fitorja në sfidat e ardhshme të kualifikimeve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos