Vendimi kishte kohë që përflitej, por tashmë erdhi edhe konfirmimi. Qyteti i Milanos nuk do të presë finalen e Champions League në vitin 2027, shkruan A2 CNN. Lajmi u bë i ditur nga UEFA, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, menjëherë pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv në Pragë.
“Duke qenë se Komuna nuk mund të garantojë se në stadiumin ‘San Siro’ dhe në zonat përreth tij do të bëhen rikonstruktime deri në finalen e vitit 2027, u vendos që qytetit të Milanos ti hiqet e drejta për organizimin e ndeshjes. UEFA do të hapë procesin për kandidaturat e reja dhe vendimi do të merret në periudhën maj-qershor 2025”, thuhej në njoftim.
Në fillim, zhvillimi i finales në Milano dukej automatik. Për finalen e vitit 2026 të Champions, Budapesti në Hungari ishte kandidatura e vetme, ndërsa për ndeshjen e vitit 2027, në garë ishte vetëm Milano në Itali.
Në këtë situatë, UEFA zgjodhi “San Siron”, por me kusht. Dukeqenë se Interi dhe Milani nuk pranuan propozimin për punimet e rikonstruksionit të impiantit, federata italiane nuk jepte dot garanci për zhvillimin normal të ndeshjes te UEFA, shkruan A2 CNN. Kjo bëri që qyteti të humbiste shansin të organizonte finalen e parë të Champions pas 11 vjetëve.
Tashmë në garë pritet të hyjë Roma me stadiumin “Olimpico”. Në këtë impiant u zhvilluan disa ndeshje të Europ 2020, ndërsa finalja e Champions është luajtur për herë të fundit në vitin 2009. (A2 Televizion)