Dinamo "harron" të fitojë, Vora mposht Flamurtarin

Nga A2 CNN
21 Shtator 2025, 18:02 | Futboll

Dinamo "harron" të fitojë, Vora mposht Flamurtarin

Java e katërt e Superiores solli emocione, por jo gola në sfidën mes Dinamos dhe Bylisit, e zhvilluar në “Selman Stërmasi”. Të dyja skuadrat, që vinin pas humbjeve respektive ndaj Teutës dhe Egnatias, nuk arritën të gjenin rrjetën, duke u ndarë në barazim 0-0.

Ndeshja pati episode të shumta, me raste të pastra për shënim dhe tension në fushë. Moment kyç ishte në minutën e 67-të, kur Peralta i Bylisit u ndëshkua me karton të kuq pas një goditjeje me bërryl ndaj Ditës, vendim i konfirmuar nga VAR. Dinamo shtoi presionin sidomos në pjesën e dytë, por shpërdoroi disa mundësi të arta, ndërsa Bylisi iu afrua golit me Mustafën e Malomon, pa ia dalë të ndryshojë rezultatin.

Ndërkohë, surpriza e ditës erdhi në Laç, ku Vora arriti fitoren, duke mposhtur Flamurtarin me rezultatin minimal 1-0. Goli i vetëm u shënua në minutën e 12-të nga Luis Felipe, i saktë nga pika e bardhë pas një penalltie të fituar nga Kasalla.

Pjesa e dytë pa një Flamurtar më kërkues, me disa raste të pastra nga Trashi, Todoroski dhe Maksuti, por portieri Ruçi u tregua vendimtar. Vora administroi mirë avantazhin, duke i dhuruar trajnerit Arjan Bellaj një fitore me shumë peshë morale për vazhdimësinë e kampionatit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos