
Triumfi ndaj Tiranës ka sjellë një klimë tepër pozitive te Teuta, që synon të vazhdojë serinë e fitoreve.
Në sprintin final drejt “Final Four”, bregdetarët vijnë me moral të lartë. Tri pikët në kryeqytet ishin kruciale, por ajo që jep më tepër optimizëm është loja dhe mënyra si skuadra iu imponua kundërshtarit, duke e dominuar.
“Gomat e dimrit” janë ndërruar dhe ekipi është futur sërish në korsinë e shpejtësisë. Dobi u kërkon futbollistëve të mos e heqin këmbën nga gazi, madje të ndryshojnë marsh kundër Flamurtarit për të vazhduar ngjitjen në renditje, shkruan A2.
Diferenca me Dinamon e vendit të katërt është vetëm tri pikë dhe pjesëmarrja në “Final Four” nuk është utopike. Sigurisht, rrugëtimi do të ketë monopate, duke nisur nga derbi bregdetar, por sukses pa vuajtje nuk ka – dhe Dobi e di mirë këtë.
Lëvizjet e janarit ndryshuan ekuilibrat në skuadër, por në pak kohë lojtarët e rinj janë përshtatur me grupin dhe pritet të jenë një vlerë e shtuar për objektivat sezonalë.
Në dispozicion të stafit teknik për ndeshjen e së shtunës rikthehet edhe polivalenti Toli, i cili shleu pezullimin. Trajneri do ta ketë grupin e plotë për ndeshjen me Flamurtarin, që do të luhet këtë të shtunë në orën 19:30 në stadiumin “Niko Dovana”, ku pritet një atmosferë e zjarrtë.
Tifozët janë oksigjen dhe në këtë moment, ekipi ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e lojtarit të 12-të.
Përballë Flamurtarit, Dobi ka në favor jo vetëm atmosferën, por edhe statistikat: një fitore dhe një barazim në përballjet direkte këtë sezon. Ndërsa në 10 ndeshjet e fundit, Teuta ka regjistruar 4 fitore, 5 barazime dhe vetëm një humbje. (A2 Televizion)