Raporti i vëzhguesve të ODIHR, Berisha: Konfirmoi farsën, shqiptarët të ngrihen në protestë

Nga Anesti Barjamemaj
23 Tetor 2025, 17:34 | Politikë

Pak orë pasi OSBE/ODIHR publikoi raportin final për zgjedhjet e 11 Majit, Sali Berisha doli para mediave, ku deklaroi se të gjitha akuzat e tyre për manipulimin e gjithë procesit janë vërtetuar. 

Sipas Berishës, raporti përfundimtar mbështet plotësisht tezat se në zgjedhjet e 11 majit u shkelën parimet themelore ndërkombëtare të zgjedhjeve, shkruan A2 CNN.

“Rezulton se nuk është hequr asnjë presje. Aty faktohet se në kundërshtimet me parimet ndërkombëtare, Edi Rama i ka shndërruar punonjësit e administratës në patronë të urryer të shqiptarëve për votën”, tha Berisha

Duke cituar fraza të ndryshme nga raporti, lideri demokrat theksoi se zgjedhjet ishin farsë. 
“Lexojeni një frazë, po të mos bënin këto, zgjedhjet do ishin më afër zgjedhjeve të lira”.

Për Sali Berishën, raporti e thotë qartë se u shuan linjat e ndarjes së partisë nga shteti. “Vetëm ky moment është i mjaftueshëm ky element për të gjithë ata që kanë kulturën elektorale minimale për të kuptuar se zgjedhjet ishin një farsë. Në kushtet e partisë shtet kurrë nuk mund të ketë zgjedhje të tjera përveçse farsë”.

Në këto kushte, për Berishën qytetarët nuk kanë rrugë tjetër veç protestës.

“Shqiptarët bazuar në këtë raport, kanë detyrimin madhor të ngrihen për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka çdo fjalë dhe çdo presje që kishte raporti i parë, çka është një bazë e fuqishme shprese që shqiptarët të ecin drejt zgjedhjeve të lira. Le të bëjnë ç’të duan, asgjë nuk do ndalë përpjekjen tonë për rikthimin e votës së lirë tek shqiptarët”.

Sipas Berishës edhe nëse qytetarët nuk ngrihen në protestë, PD do të vijojë të denoncojë parregullsitë në zgjedhje.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos