Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka reaguar pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Në një deklaratë publike, Celibashi e cilësoi raportin si “pasqyrë të plotë të procesit zgjedhor”, duke theksuar se puna mbi gjetjet dhe rekomandimet e ODIHR-it do të tregojë seriozitetin dhe përgjegjshmërinë institucionale e politike të të gjithë aktorëve të përfshirë.
“Do të jetë shenjë serioziteti dhe përgjegjshmërie institucionale dhe politike e të gjithë aktorëve të lidhur me procesin zgjedhor, për të punuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit, si pasqyrë e plotë e këtyre zgjedhjeve”, u shpreh Celibashi.
Ai shtoi se “gjykimet dhe vlerësimet mbi gjykimet e ‘gjykatësit të zgjedhjeve’ nuk kanë ndonjë dobi”, duke iu referuar rolit të ODIHR-it si institucion monitorues, shkruan A2 CNN.
Kryekomisioneri nënvizoi se partitë politike, veçanërisht ato që janë në Kuvend, duhet të angazhohen seriozisht për ta përmbyllur reformën zgjedhore brenda një viti.
Sa i takon vetë KQZ-së, Celibashi tha se vlerësimet pozitive të raportit për punën e institucionit në përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve janë “shtysë për të bërë akoma më mirë atë që duhet bërë”. (A2 Televizion)