“Duhet të shfrytëzojmë rastet”, Pano për ndeshjen me Serbinë: Vetëm po ndryshuam ia dalim

Nga A2 CNN
10 Tetor 2025, 19:22 | Futboll

“Duhet të shfrytëzojmë rastet”, Pano për

Për legjendën e futbollit shqiptar Ledio Pano, Shqipëria duhet të ndryshojë mënyrën e lojës për të dalë me pikë nga përballja me Serbinë që do të luhet nesër në Leskovac.

I ftuar në Ditarin e pasdites me Pandi Gjatën, Pano u shpreh se ekipi serb e ka studiuar mirë Shqipërinë dhe për këtë arsye ne duhet t’i surprizojmë dhe të shfrytëzojmë në maksimum të gjitha rastet që na jepen.

“Sylvinho është në dilemë të madhe. Besoj se duhet të ketë ndryshime nga ndeshjet e tjera dhe besoj se ne na bën punë një rezultat pozitiv. Jemi në një moment të vështirë dhe duhet të shfrytëzojmë në maksimum të gjitha rastet që duhet të na jepen. Duhet një ndryshim nesër, pasi dhe trajneri serb e tha që ne e njohim ekipin e Shqipërisë. Ne na kanë studiuar mirë, duhet të ndryshojmë mënyrën e lojës, pasi vetëm kështu ndoshta i surprizojmë”, tha Pano.

Në lidhje me organizimin e ndeshjes në Leskovac, Pano e sheh këtë gjë si një plus për kombëtaren tonë, ndonëse masat e sigurisë janë tepër të forta.

“Është një plus që ndeshja nuk mbahet në Beograd por në një stadium të vogël me tifozeri të përzgjedhur. Dy pjesët pas portës do jenë bosh për shkak të dënimit. Ata kanë marrë masa për të mos u dënuar. UEFA ka thënë që çdo incident që do të ndodhi...Nëse ndeshja do të mbahej në Beograd do të ishte ndryshe”, tha Pano. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos