Armando Broja është kthyer në fushë, pas dëmtimit që e mbajti për muaj me radhë jashtë. Sulmuesi debutoi me Evertonin, pasi u aktivizua në minutën e 83-të, në vend të Kalvert-Leuin.
Edhe pse luajti vetëm 10 minuta duke llogaritur edhe shtesat, në fitoren 4 me 0 përballë Volver-hampton, kuqeziu realizoi një paraqitje mbresëlënëse. Me tre shkëputje, ai krijoi panik në mbrojtjen kundërshtare, teksa provoi edhe të shënonte, por u bllokua nga portieri.
Paraqitja e Brojës u vlerësua pozitivisht nga stafi dhe tifozët e Evertonin, të cilët besojnë se ylli shqiptar do ta ndihmojë skuadrën ti largohet zonës së rënies nga kategoria.
“Përshëndetje të gjithëve, përshëndetje tifozëve të Evertonit. Shumë faleminderit që erdhët në këtë ndeshje dhe për pritjen që më rezervuat. Jam i lumtur që u riktheva nga dëmtimi, është një moment shumë i veçantë për mua. Jam shumë, shumë i lumtur për rikthimin në fushë, ishte një fitore e mrekullueshme. Do jemi sërish të shtunën dhe ju presim ndaj Liverpulit. Faleminderit shumë që erdhët, do të thotë shumë”, tha Broja pas sfidës. (A2 Televizion)