Gjiganti europian drejt zhdukjes, rrezikon përjashtimin nga të gjitha kompeticionet e futbollit

Nga A2 CNN
15 Tetor 2024, 21:42 | Futboll

Gjiganti europian drejt zhdukjes, rrezikon përjashtimin nga të gjitha

Klubi portugez i Benfica-s mund të zhduket nga futbolli portugez dhe evropian për një periudhë që varion nga 6 muaj deri në 3 vjet, në varësi të pezullimit që mund të vendosë drejtësia vendase për ta.

Të paktën kjo është kërkesa e Prokurorit Publik për klubin legjendar nga Lisbona, që rrezikon të dënohet për korrupsion dhe mashtrim tatimor në një gjyq që në Portugali quhet “rasti i e-mailit”.

Akuzat lidhen me ish-presidentin e klubit, Luis Filipe Vieira, i cili po hetohet për disa krime, pasi kishte hartuar një plan që synonte të merrte avantazhe përmes kontrollit të klubeve të tjera, të cilat do ta kishin bërë më të lehtë rrugën në ndeshjet mes tyre.

Plani në fjalë, ende për t'u provuar, daton në sezonet sportive midis viteve 2016 dhe 2019. Mes klubeve të përfshira është edhe Vitoria Setubal, e akuzuar për korrupsion pasiv. Në vështirësi serioze financiare, Vitoria do të kishte përfituar nga operacionet e tregut, duke përfshirë huatë dhe transferimet, në këmbim të paraqitjeve të dobëta të disa lojtarëve kur luanin përballë Benfica-s.

Të paktën këtë po përpiqet të vërtetojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm Policia Gjyqësore. Prokurori Publik kërkoi gjithashtu ndalimin, sërish në rast dënimi, për ish-presidentin Luis Filipe Vieira dhe Paulo Gonçalves, Fernando Oliveira, Vítor Valente e Paulo Grencho.

Për akuzat ka reaguar edhe klubi i Benfica-s që thotë se avokatët e tij do të analizojnë në detaje akuzën e njoftuar sot, e cila e bën klubin përgjegjës për aktet e supozuara që i atribuohen ish-presidentit dhe një ish-këshilltari.

“Një qëndrim procedural do të merret në kohën e duhur, por nuk ka dyshim se Benfica do të mbrohet, pa hezitim, ndaj të gjitha akuzave të pabaza (për aq sa është e mundur të analizohen, janë të pabaza), si dhe ndaj çdo gjëje tjetër që mund të cenojnë të drejtat dhe interesat tona”, thotë klubi portugez.

Presidenti aktual i Benfica-s, Manuel Rui Costa nuk akuzohet për asgjë. Sipas Prokurorit Publik, asokohe zv/President, Rusi Costa nuk ka qenë në dijeni për ngjarjet që kishin ndodhur në klub. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos