Mbrëmjen e të martës në fushë zbritën dhe kombëtare të tjera të mëdha. Spikati supersfida mes Holandës dhe Gjermanisë që në fund u mbyll në një barazim 2-2. Ndeshje me shumë emocione dhe raste, por në fund pa një fitues në Amsterdam.
Tijani Reijnders kaloi në avanatazh “Tulipanët” që në minutën e dytë të takimit. Edhe kundërpërgiigja e “Pancerave” nuk vonoi, me Undav që barazoi takimin në minutën e 38. Po në pjesën e parë, Kimmich bëri dhe përmbysjen e madhe dhe dërgoi ekipet në dhomat e zhveshjes me avantazhin 2-1 të Gjermanisë.
Edhe fraksioni i dytë ishte shumë i luftuar, me dy ekipet që prodhuan shumë raste, por ishte Dumfries që rihapi takimin në minutën e 50. Deri në fund të dyja skuadrat bënë çmos për të marrë maksimumin nga kjo sfidë, por në fund nuk kishte një fitues dhe gjithçka u mbyll me rezultatin 2-2.
Edhe në takimin tjetër të grupit, Hungaria dhe Bosnje-Hercegovina u ndanë në paqe. Një lojë e vakët dhe me shumë pak raste bëri që rrjetat të mos prekeshin asnjëherë.
Pas këtyre sfidave, grupin e kryeson Gjermania dhe Holanda me 4 pikë, ndërsa Bosnje-Hercegovina dhe Hungaria janë në vendin e tretë dhe të katërt me 1 pikë pas 2 ndjesheve.
Edhe Anglia regjistroi fitoren e dytë në grup teksa mundi 2-0 Finlandën. Protagonisti kryesor ishte Harry Kane që shënoi dy golat e takimit dhe hipotekoi suksesin e radhës për Anglinë.
Në takimet e tjera, fitore regjistroi dhe Greqia që mundi 2-0 Irlandën e Veriut dhe merr kreun e grupit me 6 pikë, po aq sa edhe Anglia, ndërsa Iralnda dhe Finlanda mbyllin grupin me 0 pikë. (A2 Televizion)