PSG i “dha duart”, Donnarumma gjen strehë në Premier League

Nga A2 CNN
24 Gusht 2025, 17:53 | Futboll

PSG i “dha duart”, Donnarumma gjen strehë në Premier

Portieri italian Gianluigi Donnarumma, aktualisht pjesë e Paris Saint-Germain, është shumë pranë një kalimi te Manchester City pas marrëveshjes personale që ka arritur me kampionët e Premier League. Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, 26-vjeçari ka rënë dakord për kushtet personale me “Qytetarët”, ndërsa bisedimet mes dy klubeve vazhdojnë për shumën e transferimit, shkruan A2 CNN.

Donnarumma, i konsideruar si një nga portierët më të mirë në botë, ka mbetur jashtë planeve të PSG-së pasi drejtuesit e klubit kanë vendosur që Lucas Chevalier, i blerë për 48 milionë paund nga Lille, të jetë numri një i portës. Si pasojë, italiani është përjashtuar nga stërvitjet dhe i është kërkuar të gjejë një skuadër të re përpara mbylljes së merkatos.

Të premten në mbrëmje, Donnarumma duket se u përshëndet me tifozët e PSG-së në Parc des Princes, duke sinjalizuar kështu largimin e tij të afërt. Megjithatë, transferimi te Manchester City do të varet nga e ardhmja e Ederson, portierit brazilian që po kërkohet nga Galatasaray.

Ndërkohë, trajneri Pep Guardiola nuk ka qenë i qartë për situatën e portierëve pas humbjes 2-0 ndaj Tottenham, ku James Trafford, portieri i sapotransferuar, nuk arriti të bindë me paraqitjen e tij.

PSG kërkonte fillimisht 50 milionë euro për Donnarummën, por marrëveshja përfundimtare pritet të mbyllet për një shumë më të ulët. Nëse gjithçka përfundon me sukses, italiani do të bëhet përforcimi i radhës i Manchester City në këtë merkato verore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos