Fitore në derbi dhe asnjë rezultat tjetër. Kjo është alternativa e vetme që Interi të shpallet kampion i Serie A në derbin e 22prillit. Zikaltërit barazuan 2-2 me Kaljarin, rezultat që i kombinuar me barazimin e Milanit kundër Sasuolos, bën që ky të jetë kombinimi i vetëm i mundshëm.
Kur kanë mbetur edhe gjashtë javë nga fundi i kampionatit, skuadra e Inzagit ka 83 pikë, 14 më tepër se kuqezinjtë. Diferenca nuk mjafton që Interi të festojë edhe me barazim, teksa Milani do të provojë t’ua prishë festën rivalëve të përjetshëm dhe ti mposhtë në sfidën direkte.
Nëse “Djalli” fiton, Interit do ti mjaftonin 5 pikë në pesë ndeshjet e mbetura që të shpallej matematikisht kampion. Ndërkohë, zikaltërit humbën shansin të synonin rekordin e pikëve në Serie A, që mbahet nga Juventusi i Kontes me 102 të tilla.
Maksimumi që ata mund të grumbullojnë deri në fund të kampionatit është 101 pikë.
Në San Siro për ndeshjen e Interit me Kaljarin, ishte si tifoz special edhe Xhani Infantino.
Prezenca e presidentit të FIFA-s nuk kaloi pa u vënë re. Ashtu si edhe reagimet e tij në tribunë përkrah drejtuesve të Interit. Nga rastet e shpërdoruara te festat e golave, Infantino ishte tejet i përfshirë në ndeshje.
Kreu i FIFA-s është një tifoz i deklaruar i zikaltërve, megjithatë në rrjetet sociale shpërthyen polemikat për veprimet e tij.
Disa tifozë e kanë cilësuar të papërshtatshëm faktin që drejtuesi më i lart i futbollit botëror feston pa u fshehur për një ekip. (A2 Televizion)