
Kosova zhvillon sonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, pasi përballet me Republikën e Irlandës, në kuadër të ndeshjeve të fundit të Grupit B3.
Dardanët udhëtojnë drejt Dublinit me një objektiv të qartë: ta ruajnë vendin e dytë në grup dhe ta sigurojnë pjesëmarrjen në plejofin për në Ligën A.
Skuadrës së përzgjedhësit Franco Foda i mjafton edhe një barazim për ta arritur këtë objektiv, pasi aktualisht ka gjashtë pikë, një më shumë se Irlanda, që renditet në vendin e tretë. Në rast të ndarjes së pikëve, Kosova do të mbetej para irlandezëve dhe do ta siguronte vendin e dytë, pavarësisht rezultateve të tjera, shkruan A2.
Kosova ka arsye të besojë në një tjetër rezultat pozitiv, pasi në përballjen e parë, të zhvilluar në stadiumin 'Fadil Vokrri' në shtator, kishte triumfuar me rezultat 1-0. Hero i asaj mbrëmjeje ishte Vedat Muriqi, i cili shënoi golin e fitores në minutën e 83-të, duke u dhënë Dardanëve tri pikë të rëndësishme.
Kosova vjen pas barazimit pa gola ndaj Izraelit, në një ndeshje ku nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës, pavarësisht rasteve të krijuara. Për më tepër, ndaj irlandezëve do të mungojnë Edon Zhegrova, për shkak të lëndimit, dhe Veldin Hoxha, i cili është i pezulluar pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e fundit.
Në anën tjetër, Irlanda vjen pas humbjes 1-0 nga Austria, rezultat që ia pamundësoi garën për vendin e parë dhe promovimin direkt në Ligën A. Tashmë, përzgjedhësi Heimir Hallgrimsson dhe futbollistët e tij e kanë të qartë se vetëm fitorja ndaj Kosovës mund t'ua sigurojë pozitën e dytë.
(A2 Televizion)