Një lëvizje e vogël në çmimin e biletave, por me një efekt të madh në interesimin e tifozëve.
Egnatia ka vendosur të hapë dyert për mbështetësit me një çmim simbolik prej vetëm 200 lekësh për sfidën europiane ndaj Linkoln Red Imps, duke marrë një përgjigje pozitive që në ditët e para të shitjes, shkruan A2.
Vendimi i kampionëve duket se ka dhënë frytet e veta, pasi biletat po shiten me ritme të kënaqshme dhe interesimi për sfidën në “Air Albania” është rritur ndjeshëm. Madje, sektorët pas porte janë bllokuar, ndërsa biletat me çmimin 200 lekë mund të sigurohen në tribunën ballore, të njohur si “Panajot Pano”.
Mbështetësit nuk kanë vetëm mundësinë t'i blejnë biletat në stadiumin Arena Kombetare, por edhe në Rrogozhinë, Lushnjë dhe Kavajë.
Në fushë, sfida ka një rëndësi të veçantë. Egnatia e drejtuar nga Nevil Dede vjen në këtë raund të katërt të Ligës së Konferencës me vetëm dy pikë dhe tashmë nuk ka më hapësirë për gabime. Përballë Linkoln Red Imps, kampionët shqiptarë kërkojnë fitoren për të mbajtur gjallë shpresat europiane.
Një apel për tifozët, një çmim simbolik dhe një objektiv i madh sportiv. Egnatia kërkon që këtë herë të mos jetë vetëm në fushë, por të ketë edhe mbështetjen e tribunave në misionin europian. (A2 Televizion)