Fitorja 3-0 me Andorrën duket se riktheu buzëqeshjen në kampin kuqezi. Pas ndeshjes protagonistët e skuadrës treguan se çdo ndeshje ka rëndësinë e saj.
Fokusi tani është dueli me Serbinë me të cilën premtojnë se do të japin gjithçka për një rezultat pozitiv.
“Ishte e rëndësishme të ktheheshim në shtëpi me 3 pikët, Andorra e dimë që është një ekip që rrinë të gjithë pas topit dhe është e vështirë që të penetrosh nga brenda me topin. Folëm që në stërvitje që duhej të gjenim golin që 10 minutat e para që të ishte loja më e lehtë dhe Asllani futi një super top dhe dolëm 1-0. Jam i kënaqur për të gjithë lojtarët, edhe për Shehun, çunat e rinj si Pajaziti që u futën në lojë, pastaj rikthimi i Brojës, Uzuni që u rikthye me gol, Asllani që bëri një super ndeshje, jam i kënaqur për të gjithë çunat. Besoj që ndeshja me Serbinë nuk ka nevojë për motivim, tani do të kthehemi nëpër klube dhe pastaj do të mendojmë kur të kthehemi në qershor në grumbullim”, tha Manaj për mikrofonat e “FSHF”
“Ishte shumë mirë për ne, e dinim që Andorra do të ishte një ekip i vështirë pasi hyn në mbrojtje dhe e patë edhe ju që me 5 mbrojtës është shumë e vështirë që të shkosh në sulm dhe të arrish në zonën për të bërë gola. E dinim që do të kishim dy ndeshje të vështira, normalisht që Anglia është një nivel shumë i lartë por edhe Andorra e dinim që do të ishte kështu, janë ndeshje që bëjnë diferencën, ishte 3-0 për ne, një ndeshje shumë e mirë”.
Ndeshja e radhës me Serbinë do të luhet në 7 qershor në stadiumin Arena Kombëtare në kryeqytet. (A2 Televizion)