Leskovaci në “shtetrrethim”, Sulçe: Gazetarët u ndaluan në kufi, na ka kujtuar pandeminë

Nga A2 CNN
10 Tetor 2025, 23:39 | Futboll

Një ditë para përballjes së shumëpritur Serbi-Shqipëri, qyteti i Leskovacit ndodhet nën masa të rrepta sigurie. Gazetari i “Mega Sport” në A2 CNN, Altin Sulçe, raportoi drejtpërdrejt nga hoteli ku është akomoduar kombëtarja kuqezi, duke përshkruar një atmosferë të pazakontë.

Sipas tij, disa gazetarë shqiptarë janë ndaluar për më shumë se një orë në kufi, përfshirë edhe Alban Xhihanin dhe kolegë nga Radio Televizioni Shqiptar, përpara se të lejoheshin të hynin në territorin serb.

Ai theksoi se autoritetet serbe po ushtrojnë presion maksimal për të shmangur incidente gjatë ndeshjes. “Ka pasur disa gazetarë shqiptarë që janë ndaluar në kufij, ku kanë qëndruar gjatë, për më shumë se një orë, një nga ata ka qenë Alban Xhihani dhe kolegë të tjerë nga Radio Televizioni Shqiptar. Më kanë thënë që kanë qëndruar më shumë se 60 minuta në kufi.

Ne nuk e ndjemë këtë sepse ishim direkt me çarterin e kombëtares Organet kompetente serbe kanë presion për ta nxjerr këtë ndeshje pa incidente. Kemi dashur të lëvizim pak, por nuk na kanë lejuar. Na kanë kujtuar pak pandeminë e Covid-19. Ishim në pjesën e jashtme të hotelit dhe shikonim aty vetëm makina policie dhe njerëz civil të policisë që qëndronin përreth, të njëjtën gjë bënë edhe te stadiumi. Autokolona jonë ishte rrethuar majtas e djathtas. Është një atmosferë krejt ndryshe nga ato që kemi parë në shtete të ndryshme, kurrë nuk kemi parë një prezencë kaq të madhe policore”, tha Sulçe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos