Maroku shpallet fitues i Kupës së Afrikës, CAF penalizon Senegalin

Nga A2 CNN
18 Mars 2026, 12:36 | Futboll

Maroku shpallet fitues i Kupës së Afrikës, CAF penalizon

Maroku është shpallur fitues i Kupës së Afrikës 2025, pasi Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) rrëzoi rezultatin e finales pas largimit të diskutueshëm të Senegalit nga fusha.

Senegali kishte fituar 1-0 ndaj Marokut në finalen e 18 janarit, në një ndeshje që u shoqërua me polemika, pasi lojtarët senegalezë refuzuan të vazhdonin lojën kur vendasve iu akordua një penallti në minutat shtesë, ndërsa rezultati ishte 0-0.

Pas një ndërprerjeje rreth 17 minuta, lojtarët u rikthyen në fushë dhe penalltia e Brahim Diaz u prit, ndërsa më pas Pape Gueye i Senegalit shënoi golin e fitores në kohën shtesë.

Megjithatë, ky rezultat tashmë është rrëzuar pas një vendimi nga bordi i apelimit i organit drejtues të futbollit afrikan.

Në një deklaratë, CAF bëri të ditur se Senegali është “shpallur humbës në tavolinë i ndeshjes finale”, ndërsa “rezultati regjistrohet 3-0 në favor të Marokut”.

Federata e Futbollit e Senegalit deklaroi se do ta apelojë vendimin e CAF në Gjykatën e Arbitrazhit për Sportin, duke e cilësuar atë si “një vendim të padrejtë, të paprecedent dhe të papranueshëm, që dëmton imazhin e futbollit afrikan”.

Vendimi erdhi pas një ankese nga Federata Marokene e Futbollit (FRMF), e cila, sipas CAF, “u pranua në formë” dhe u mbështet. CAF shtoi se, “përmes sjelljes së ekipit të tij”, Senegali ka shkelur nenin 82 të rregullores së Kupës së Afrikës dhe, për rrjedhojë, u zbatua neni 84.

Neni 82 përcakton se nëse një ekip refuzon të luajë ose largohet nga fusha para përfundimit të kohës së rregullt pa autorizimin e arbitrit, ai konsiderohet humbës dhe eliminohet nga kompeticioni.

Neni 84 e plotëson këtë dispozitë, duke saktësuar se çdo ekip që shkel nenin 82 eliminohet përfundimisht dhe humb ndeshjen me rezultatin 3-0.

Në një deklaratë, FRMF theksoi se ankesa e saj nuk kishte për qëllim të vinte në dyshim performancën sportive të skuadrave, por të kërkonte “zbatimin e rregullave të kompeticionit”.

“Federata rikonfirmon angazhimin e saj për respektimin e rregullave, garantimin e qartësisë në kuadrin konkurrues dhe ruajtjen e stabilitetit në garat afrikane,” thuhej në deklaratë.

“Ajo gjithashtu dëshiron të përgëzojë të gjitha kombëtaret që morën pjesë në këtë edicion të Kupës së Afrikës, i cili ka qenë një moment i rëndësishëm për futbollin afrikan.”

Më herët, në llogarinë në X të kombëtares së Senegalit u publikua një video ku lojtarët festonin në një paradë me autobus me trofeun e Kupës së Afrikës dhe një emoji “OK”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos