Padyshim që ndeshja më interesante në çerekfinalet e Europa League është derbi italian ndërmjet Milanit dhe Romës.
Kjo do të jetë përballja e 20-të në histori ndërmjet dy ekipeve nga Serie A në arenën ndërkombëtare. Sfida parashikohet e hapur dhe e luftuar, pavarësisht faktit se vetëm dy muaj më parë kuqezinjtë fituan 3-1 në kampionat përballë kryeqytetasve dhe Roma nuk fiton prej pesë vitesh në San Siro.
“Djalli” kaloi Slavian e Pragës, ndërsa verdhekuqtë bindën përballë Brighton. Në këto momente, të dyja skuadrat po përjetojnë një periudhë të mirë dhe kjo konfirmohet nga fitoret e fundit, por edhe pozitat në kampionat.
Milani pozicionohet në vendin e dytë me 68 pikë, ndërsa Roma e pesta me 55, vetëm 3 pikë larg zonës Champions. Sfida e mbrëmjes së sotme do të jetë edhe përballja e parë në histori ndërmjet Milanit dhe Romës në kupat e Europës. (A2 Televizion)