Për të dy, refreni ishte pak a shumë i njëjtë: "Blerje e mirë, por...", "Seria A është varreza e elefantëve", "Mirë, por në çfarë gjendjeje do të jenë?".
Historia italiane e 40-vjeçarit Luka Modric dhe 34-vjeçarit Kevin De Bruyne ka një paralele të habitshme, një aromë snobizmi nga ata që thonë se duhet luajtur me të rinj dhe pastaj thonë se skuadrat me lojtarë të rinj nuk fitojnë kurrë.
Luka Modric, i cili duhej të luante 20 minutat e fundit të ndeshjeve, nuk zëvendësohet kurrë nga Max Allegri te Milani, dhe Kevin De Bruyne, i cili supozohej se kishte shtuar në peshë dhe ishte jashtë forme, u bë menjëherë qendra e gravitetit për Napolin e Antonio Contes, shkruan A2.
T’i shikosh duke luajtur është një kënaqësi për sytë, një festë për futbollin. Pothuajse gjithmonë luajnë me një prekje, realizojnë vrapime të gjata dhe futen në zonë.
"Modric e di një minutë më parë se ku po shkon topi", ka thënë Allegri. Dhe kështu distancat për t'u përshkuar zvogëlohen dhe rikuperimi i topit në zonën sulmuese bëhet aseti kryesor i sulmit të Milanit.
Po De Bruyne? Katër ndeshje dhe dy gola. Po të mos ishte për kartonin e kuq të Di Lorenzos në Mançester, i cili e detyroi Conten ta thërriste menjëherë në stol, ndoshta edhe ndeshja e parë evropiane e Napolit do të kishte qenë ndryshe.
Sepse, sido që të jetë, ata të dy kanë vërtet ndikim. Ata krijojnë hapësirë dhe e kërkojnë atë, luajnë me topa të ndërlikuar, ndërhyjnë dhe gjuajnë. Dhe pastaj, shpesh, dalin me duartrokitje nga fusha e lojës.
Milani kishte investuar shumë te Ricci në mesfushë. Tani Ricci mëson çdo ditë nga Modric.
Për t'i bërë vend De Bruyne, Napoli duhej të spostonte McTominay, i cili ishte vendimtar në fitoren e Scudetto-s sezonin e kaluar. Por, nuk ka rëndësi, pasi lojtarët e shkëlqyer përshtaten dhe gjithmonë duhet të ketë vend për De Bruyne.
Të dielën në mbrëmje, në San Siro, vëmendja do të jetë përsëri mbi ta. Ata janë fenomene unike për të cilët kampionati italian kishte nevojë urgjente. Milani dhe Napoli po i shijojnë, Allegri dhe Conte po ndërtojnë garën për Scudetto rreth tyre.
(A2 Televizion)