Napoli ka marrë fitoren e katërt radhazi në kampionatin italian, duke mbetur me pikë të plota në mbrojtjen e titullit. Skuadra e Antonio Contes triumfoi 3-2 ndaj Pizës në një sfidë plot emocione në stadiumin Diego Armando Maradona, ku protagonisti kryesor ishte Leonardo Spinazzola, me një gol dhe një asist.
Pjesa e parë nisi e vështirë për napolitanët, të cilët nuk arritën të shfrytëzonin rastet me Kevin De Bruyne e Scott McTominay. Gjithsesi, në minutën e 39-të erdhi zhbllokimi: Spinazzola asistoi për Billy Gilmour, i cili shënoi me një goditje të fuqishme që u devijua në rrjetë, shkruan A2 CNN.
Piza reagoi menjëherë dhe gjeti barazimin në minutën e 50-të me penalltinë e realizuar nga M’Bala Nzola, pas një faulli me dorë të Beukema-s. Ky gol rriti presionin e miqve, por Napoli tregoi forcën e tij. Në minutën e 65-të, Spinazzola shpërtheu sërish, duke realizuar një gol të bukur nga distanca dhe duke rikthyer avantazhin.
Në minutën e 82-të, Lorenzo Lucca shënoi golin e tretë për Napolin, duke çuar shifrat në 3-1. Megjithatë, Piza nuk u dorëzua dhe në minutat shtesë ngushtoi diferencën me golin e Lorran, por ishte tepër vonë për të shmangur humbjen. (A2 Televizion)