Një ndeshje spektakolare, e denjë për një përballje në Champions League. Paris Saint-Germain fitoi 5-4 ndaj Bayern Munchen në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve. Në “Park de Prince”, gjithçka ishte magjike.
Bavarezët zhbllokuan rezultatin në minutën e 17-të me një penallti të Harry Kane. Kundërpërgjigjja e miqve nuk vonoi shumë dhe Khvicha Kvaratskhelia barazoi shifrat. Një gol që i dha zemër kampionëve në fuqi, të cilët përmbysën rezultatin me João Neves.
Spektakli sapo kishte nisur në Paris. Michael Olise vendosi sërish ekuilibrat, por në shtesë ishte Ousmane Dembélé që mbylli 45 minutat e para me shifrat 3-2.
Edhe në pjesën e dytë, skuadrat ishin të palodhura dhe bënë çmos për të marrë maksimumin nga sfida. Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique thelloi diferencën, duke shkuar deri në 5-2 falë një dopiete brenda dy minutash të Kvaratskhelia dhe Dembélé.
Megjithatë, gjermanët nuk u dorëzuan dhe u rikthyen shpejt në lojë. Në minutën e 65-të, Dayot Upamecano la gjurmën e tij, ndërsa tre minuta më vonë Luis Díaz rihapi plotësisht garën për kualifikim.
Deri në sekondën e fundit, të dy ekipet provuan për të thelluar edhe më shumë shifrat, por gjithçka përfundoi me rezultatin 5-4 në favor të kampionëve në fuqi, Paris Saint-Germain. Se kush do të shkojë në finalen e Champions League do të vendoset në ndeshjen e kthimit, të mërkurën e ardhshme, më 6 maj, në Allianz Arena në Mynih. (A2 Televizion)