Italianët turizëm me biçikleta, nga veriu në juglindje duke shijuar ndryshe natyrën

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
29 Prill 2026, 13:44 | Aktualitet

Të vizitosh Shqipërinë mbi dy rrota është diçka krejt ndryshe, si për ata që vijnë për herë të parë, ashtu edhe për ata që vijnë për herë të tretë apo të katërt. Kështu shprehen turistët italianë që kanë vendosur të shëtisin juglindjen e vendit me biçikletat e tyre.

Zona e Kolonjës ka qenë e përzgjedhur për këtë tur, duke u lënë mbresa të veçanta si atyre që vijnë për herë të parë, ashtu edhe atyre që rikthehen pasi janë ndjerë mirë.

“Është hera e parë në Shqipëri, dua të them se gjithçka është fantastike. Njerëzit janë mikpritës kudo. Është hera e parë, por jo e fundit”, thotë një turiste për mikrofonin e A2 CNN. “Për mua është hera e tretë që vij. Vij sepse këtu është ndryshe nga Italia. Çmimet janë më të ulëta, ushqimet më të bollshme, njerëzit më mikpritës, natyra më e bukur. Madje ju na respektoni shumë kur ne ecim me biçikleta”, thotë një tjetër. “Është hera e katërt në Kolonjë, përherë me biçikletën time. Jam kthyer sepse ndihem mirë këtu”.

Më parë, ky grup turistësh ka qenë në veri, ndërsa tani në juglindje. Ndërkohë, Kolonja po dëshmon se turizmi sportiv është një mundësi e re zhvillimi për zonën, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj që zgjedhin ta zbulojnë këtë trevë përmes natyrës, traditës dhe mikpritjes shqiptare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos