
Ismet Bellova, komentatori legjendar i Radio Tiranës dhe një prej zërave më të njohur të transmetimeve sportive në Shqipëri, u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare.
Me një karrierë të gjatë prej disa dekadash, Bellova u bë simbol i komentimit sportiv, duke shoqëruar breza të tërë dëgjuesish me zërin e tij karakteristik dhe emocionues. Për shumë shqiptarë, ai ishte zëri që i bëri ndeshjet të paharrueshme dhe sportin një përjetim të veçantë emocional e kombëtar.
Ismet Bellova lindi në Tiranë më 1 qershor 1934. Studimet e larta i përfundoi në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në vitin 1960. Krahas angazhimit si mësues i edukimit fizik, ai iu përkushtua me seriozitet dhe dashuri gazetarisë sportive, duke ndërtuar një profil të respektuar në median shqiptare. Ai ishte i martuar me Mjeshtren e Merituar të Sportit, Bukuroshe Shtiza.
Aktiviteti i tij sportiv nisi herët. Në vitin 1948 u shpall kampion i Shqipërisë për të rinj në pingpong, ndërsa në vitin 1950 hyri në histori si komentator sportiv, duke transmetuar finalen e Kupës së Shqipërisë Dinamo–Partizani, ndeshje që shënoi fillimin e një rruge të gjatë në Radio Tirana.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe media, Bellova u vlerësua me një sërë titujsh dhe dekoratash të larta shtetërore dhe sportive, mes tyre “Mësues i Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, “Mirënjohja e Tiranës” dhe titullin “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”.
Gjatë jetës së tij u nderua gjithashtu me çmime të shumta profesionale. Në vitin 2004 u themelua Çmimi “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive, ndërsa ai vetë u vlerësua me Çmimin e Karrierës në TVSH, Çmimin “Anton Mazreku” (dy herë) dhe Mikrofonin e Artë.
Ndarja nga jeta e Ismet Bellovës lë një boshllëk të madh në sportin dhe median shqiptare. Trashëgimia e tij do të vijojë të jetojë te brezat që ai edukoi, te kolegët që u frymëzuan prej tij dhe te publiku që e dëgjoi për dekada me radhë.
(A2 Televizion)