
Policia ka arrestuar një 35-vjeçare në Mirditë, pasi u kap teksa qarkullonte me armë zjarri në makinë, raporton A2 CNN.
“Si rezultat i operacionit, në afërsi të kryqëzimit të Kthellës, drejt hyrjes për qytetin e Rrëshenit, shërbimet e Policisë konstatuan një automjet tip “Golf”, në të cilin dyshohej se udhëtonte shtetasja e armatosur, dhe e ndaluan për kontroll. Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak”, tha policia.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasja J. B., 35 vjeçe, banuese në Rrëshen, Mirditë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)