Diogo Jota ndërroi jetë të enjten pas një aksidenti rrugor në Spanjë, së bashku me vëllain e tij Andre. Pas ngjarjes tragjike, Liverpool vendosi që të tërheqë përfundimisht numrin 20, numër që mbante në fanellë sulmuesi portugez.
“Numri 20 do të përjetësohet me të drejtë për kontributin e tij si pjesë e skuadrës kampione të sezonit 2024-25, titulli i 20 i klubit. Goli i fitores përpara Kop-it në derbin e Merseyside të muajit prill, do të mbetet goli i fundit i tij”, shkruan Liverpool në rrjetet sociale, përcjell A2.
Diogo Jota iu bashkua Liverpoolit në vitin 2020 nga Wolverhampton, për 40 milionë sterlina.
Portugezi luajti 182 ndeshje me "The Reds", duke shënuar 65 gola dhe duke dhuruar 26 asiste. (A2 Televizion)