4 shtatori është një datë shumë e rëndësishme në historinë e futbollit shqiptar. 20 vjet më parë, Kombëtarja Shqiptare fitoi me rezultatin 2-1 përballë Greqisë, që paraqitej në stadiumin e atëhershëm “Qemal Stafa” si kampione e Evropës në fuqi.
Një fitore madhështore në të gjitha drejtimet, që ndezi në mënyrë të jashtëzakonshme ndjenjën kombëtare.
Përpos entuziazmit për duelin me një rival të madh, mbi të gjitha prej çështjeve delikate politike dhe sociale me fqinjët, në prag të sfidës në rrugët e Tiranës spikati parulla “Këtu nuk është Portugalia”. Referencë për triumfin e befasishëm kontinental të helenëve në Euro 2004 të zhvilluar në Portugali.
Mesazhi i tifozëve, që kishin mbushur plot e përplot tribunat, duke krijuar një ferr të kuq rreth fushës, u mbështet në mënyrën më të mirë nga skuadra.
Shqipëria shënoi dy rrjeta të shpejta me Edvin Muratin në minutën e 2-të, që u shoqërua nga supergoli i Ardian Aliajt nga distanca shumëe largët në të 11-ën.
Në fundin e pjesës së parë, grekët shkurtuan shifrat me Janakopulos, por Kombëtarja arriti që me shumë vuajtje, sakrificë dhe zemër ta mbronte këtë fitore të madhe.
Lojtarët festuan në mënyrë të papërmbajtur në fushë pas ndeshjes, ndërsa tifozët i vunë flakën Tiranës me flakadanë dhe brohoritje. Festa zgjati deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa nga Greqia vinin lajme të kobshme.
Shqiptarët që kishin emigruar atje dhe që festonin, u përballën me dhunë. Tragjike ishte vrasja e Gramoz Palushit në Zakinthos. 20-vjeçari po festonte triumfin e Kombëtares kuqezi, teksa humbi jetës pas zënkës që nisi me një grek në gjendje të dehur pas ndeshjes. (A2 Televizion)
Ndodhi më 4 shtator 2004, 20 vjet nga fitorja madhështore me Greqinë
