
Një numër gjithnjë e në rritje njerëzish në Mbretërinë e Bashkuar mbështesin vendosjen e trupave evropiane në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje, krahasuar me dy muaj më parë, tregojnë sondazhet e reja.
Sipas mediave të huaja, sondazhi me 1,002 të rritur në Mbretërinë e Bashkuar, i kryer nga H/Advisors, tregon se 40% e tyre tani mbështesin idenë e dërgimit të trupave në Ukrainë për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit nga një agresion i mundshëm rus në të ardhmen.
Kjo është një rritje nga 34% në tetor, përpara se propozimi i paqes i mbështetur nga SHBA-të të ishte në tryezë dhe të zhvilloheshin bisedimet e fundit midis Uashingtonit dhe Moskës.
Pavarësisht kësaj, opinioni publik në Mbretërinë e Bashkuar duket se është ende në kundërshtim me qasjen e Donald Trump për t'i dhënë fund luftës, shkruan A2 CNN.
Ndërsa ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, e ka lavdëruar Trumpin si "liderin e vetëm perëndimor" që tregon një mirëkuptim për qëndrimin e Moskës, vetëm 23% e britanikëve mbështesin negociatat SHBA-Rusi pa Ukrainën në tryezë, ndërsa besimi tek Vladimir Putin për të respektuar çdo armëpushim është vetëm 19%.
Ndërkohë, 88% thonë se Ukrainës i duhen garanci të forta sigurie në çdo marrëveshje paqeje dhe 72% besojnë se Rusia do të shënjestrojë vende të tjera evropiane nëse Ukraina humbet.
Së fundmi, 69% e britanikëve duan që Mbretëria e Bashkuar të jetë midis vendeve përgjegjëse për zbatimin e çdo marrëveshjeje armëpushimi - 12 pikë më shumë se mesatarja evropiane. (A2 Televizion)