Një ditë pas ndeshjes së tensionuar mes Izraelit dhe Italisë në Hungari, polemikat vazhdojnë. Lojtarët izraelitë, në mënyrë anonime, thanë për mediat se u fyen vazhdimisht nga kundërshtarët italianë gjatë gjithë lojës. Por pala italiane i hodhi poshtë këto akuza, duke thënë se gjithçka ishin thjesht situata të zakonshme në një ndeshje me shumë emocione.
Një moment i tensionuar ndodhi pas minutës së 90-të, kur pati përplasje mes lojtarëve, përfshirë edhe portierin italian Donnarumma. Në një video të shpërndarë, sulmuesi izraelit Turgeman iu drejtua trajnerit italian Gattuso me fjalë të ashpra, ndërsa ky i fundit reagoi menjëherë, duke pasur mbështetjen e mesfushorit Barella.
Kapiteni i Izraelit, Eli Dasa, u shpreh pas ndeshjes se skuadra e tij tregoi nivel të lartë dhe se tensioni erdhi sepse Italia ndjeu presion dhe u përpoq t’i provokonte.
Edhe pse pati përplasje dhe akuza, ndeshja përfundoi pa ndëshkime zyrtare, pa asnjë karton të verdhë. Megjithatë, kjo sfidë tregoi se futbolli shpesh pasqyron tensionet më të gjera politike dhe kulturore. (A2 Televizion)