Mbyllja e sezonit jashtë “Final Four” dhe largimi i thuajse gjysmës së titullarëve shënjuan fundin e një cikli te Tirana.
Klubi nuk humbi kohë dhe prezantoi menjëherë projektin e ri, duke zyrtarizuar Bledi Shkëmbin si trajner dhe Agim Ibraimin në postin e drejtorit sportiv. Për dy ish-lojtarët e famshëm, kjo është hera e parë që i bashkohen bardhebluve.
Me detyrën e tij, Ibraimi do të shfrytëzojë lidhjet e forta në ligat europiane, pas karrierës së pasur si lojtar.
Në anën tjetër, për Shkëmbin, Tirana është etapa e radhës në karrierën në stol dhe mundësia më e mirë që të fitojë titullin e parë si trajner, pas trofeve si futbollist. 44-vjeçari firmosi kontratë për dy sezone dhe për t’iu bashkuar bardhebluve vendosi të largohej nga drejtimi i përfaqësueses së 17-vjeçarëve, ku ishte emëruar vetëm pak kohë më parë. (A2 Televizion)