Shqipëri-Azerbajxhan, prova gjenerale përpara “EURO 2024”

Nga Erald Kodhelaj
7 Qershor 2024, 11:58 | Futboll

Shqipëria në provën gjenerale përpara startit të “Euro 2024”. Kuqezinjtë luajnë miqësoren e dytë përgatitore, ku pas Lihtenshtejnit, tashmë do të kenë përballë Azerbajxhanin.

Kjo mund të cilësohet edhe si ndeshja më e rëndësishme në kuadër të eventit kontinental, që do të nisë më 14 qershor në Gjermani. Për këtë arsye, trajneri Sylvinho pritet të hedhë në fushë atë që do të jetë formacioni titullar i kuqezinjve.

Në portë do të luajë Berisha, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Ismajli e Gjimshiti në qendër, Mitaj nga e majta dhe Balliu nga e djathta, aty ku është në balotazh me Hysajn.

Rreshtimi standard në mesfushë është me Ramadanin dhe Asllanin përpara mbrojtjes, Asanin dhe Seferin nga krahët dhe Bajramin në regji. Në sulm nga minuta e parë pritet të aktivizohet Armando Broja. Miqësorja me Azerbajxhanin do të luhet sot në orën 19:00, në fushë asnjanëse në Hungari.

Pas këtij testi, Shqipëria do të përgatitet për debutimin në “EURO 2024”, ku më 15 qershor do të luajë në Dortmund përballë Italisë, kampionët e Europës në fuqi. Sfidat e tjera të kuqezinjve janë më 19 qershor me Kroacinë dhe më datë 24 kundër Spanjës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos