Si do të luajë Shqipëria ndaj Azerbajxhanit? Sylvinho flet para testit gjeneral

Nga Erald Kodhelaj
6 Qershor 2024, 15:43 | Futboll

Prova e fundit përpara debutimit në Euro 2024. Kombëtarja luan kundër Azerbajxhanit, ndeshje që shërben edhe si testi gjeneral për evenimentin më të rëndësishëm kontinental. Edhe pse pret të provojë gjëra të reja dhe të marrë sinjale nga ekipi, Sylvinho e ka mendjen te turneu dhe sfida e parë me Italinë.

“Po përgatitemi për Italinë nuk mund të them ende si do të jetë skuadra, kemi edhe pak ditë kohë. Në ndeshjen me Azerbajxhanin tu japim më tepër mundësi lojtarëve që nuk kanë luajtur dhe të provojmë gjëra të reja. Italia është kampione në fuqi e Europës, sigurisht është një ndeshje shumë e vështirë dhe po përgatitemi për t’u përballur si duhet.

Kemi rivalë edhe ekipe si Kroacia e Spanja, është një grup shumë i fortë dhe i bukur për të gjithë ne. Marrim pjesë në një turne shumë të rëndësishëm, duhet ta shijojmë sa më shumë, por të kemi përgjegjësinë e përfaqësimit të kombit dhe të provojmë të marrim më të mirën. Mënyra e duhur për të luajtur është me sakrificë dhe shpirt”, tha Sylvinho.

Rëndësinë e pjesëmarrjes në Kampionatin Europian e kanë të qartë edhe futbollistët. Në emër të grupit, Taulant Seferi e vlerësoi aventurën në Gjermani si momentin kulmor për të gjithë kombin.

“Europianin nuk e shoh për kontratë e shoh si gjënë kryesore për gjithë kombin shqiptar, jemi këtu për të punuar fort dhe nuk e mendoj pjesën e transferimit, do ta mendoj pas Europianit. Ne jemi sulmues dhe duhet të bëjmë gola dhe shyqyr zotit jemi të gjithë mirë dhe nuk kemi lëndime dhe ja lëmë kohës. Ndeshja nga ndeshja ndryshon, kemi një grup të fortë por besimi do të jetë aty. Duhet të punojmë fort, e përgatisim fort ndeshjen kundër Italisë”, tha Seferi.

Shqipëria luan këtë të premte ndaj Azerbajxhanit. Miqësorja në Hungari nis prej orës 19:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos