Reagon drejtori i Skënderbeut pas dhunës në Fushë-Krujë: Lojtarët tanë kishin shenja në trup, ndeshja nuk mund të zhvillohej

Nga Artin Halili
4 Dhjetor 2025, 13:18 | Futboll

Reagon drejtori i Skënderbeut pas dhunës në

Pas ngjarjes së dhunshme të ndodhur dje në Fushë-Krujë, ku ndeshja mes Ilirisë dhe Skënderbeut u pezullua, ka reaguar drejtori i klubit korçar. Ai thotë se ekipi i tij është përballur me dhunë brenda ambienteve të stadiumit dhe se në këto kushte ishte e pamundur vijimi i takimit.

“Nuk jam këtu për të replikuar me klubin Iliria, por për të sensibilizuar opinionin sportiv dhe çdo tifoz të qytetit të Korçës. Ne nuk duam të dëmtojmë asnjë klub, këtë e kemi treguar me fakte dhe jemi përpjekur të tregohemi tolerantë. Ne nuk abuzojmë me askënd,” – deklaroi drejtori.

Sipas tij, incidenti ka ndodhur në dhomat e zhveshjes, ku lojtarë dhe zyrtarë të Ilirisë kanë ushtruar dhunë fizike ndaj futbollistëve të Skënderbeut, shkruan A2.

“I gjithë stafi ishte aty. Ekipi hyri në dhomat e zhveshjes dhe aty ka pasur një përplasje fizike. Kjo është e vërtetueshme pasi 4–5 lojtarë tanë kishin shenja në trup. Nëse kamerat kanë qenë funksionale, gjithçka verifikohet lehtë,” – theksoi ai.

Drejtori shtoi se, për shkak të panikut dhe presionit nga familjarët, ndeshja nuk mund të vazhdonte.

“Pretendimi i tyre ishte se kishte provokim nga ana e trajnerit, por e vërteta është se lojtarët tanë kishin shenja. Në ato kushte, me tensionin dhe frikën që ishte krijuar, zhvillimi i ndeshjes ishte i pamundur,” – u shpreh ai.

Zyrtarisht, ka reaguar policia e shtetit ku ka lajmëruar se 3 lojtarë të Klubit Iliria janë proceduar penalisht në gjendje të lirë pas dhunës së ushtruar ndaj futbollistit egjiptian të Skënderbeut, Nasr. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos