Real Madrid përballë Atalantës për trofeun e parë sezonal

Nga Dea Kozma
14 Gusht 2024, 14:08 | Futboll

Real Madrid përballë Atalantës për trofeun e parë

Sot në mbrëmje Reali i Madridit do të sfidojë Atalantën për trofeun e parë sezonal, Superkupën e Europës.

Fituesi i Champions League përballë fituesit të Europa League do të matin forcat sonte, në orën 21:00, në Varshavë të Polonisë, në një sfidë ku spektakli është i garantuar. Atalanta e Berat Gjimshitit është gati dhe në rast të një suksesi ky trofe do të ishte i pari për bergamaskët në histori.

Edhe pse përballë kanë gjigantët spanjollë, në ndeshje të tilla nuk ka një favorit, pasi në 90 minuta ose më shumë do të vendoset gjithçka.

Nga ana tjetër, Real Madrid me Mbappe, Belligham apo Vinicius Jr është gati të shkruajë historinë për t’u bërë skuadra që e ka fituar më shumë herë Superkupën e Europës. Nëse spanjollët fitojnë sonte do të bënin për vete trofeun e 6, si asnjë ekip tjetër. Rekord mund të jetë dhe për trajnerin Carlo Ancelotti, pasi nëse Reali fiton sot, ky do të ishte trofeu numër 14 si trajner i Realit, duke u kthyer në teknikun më të suksesshëm të klubit spanjoll.

Sa i përket organikës së dy skuadrave, te Reali mungon Alaba, ndërsa Camavinga është në dyshim, ndërsa tek Atalanta nuk do të jenë në dispozicion Scamacca, Scalvini dhe Zaniolo.

Takimi do të luhet sot në mbrëmje, duke nisur prej orës 21:00.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos