Real Madrid ka humbur objektivin kryesor që do të përforconte mbrojtjen e “Los Blancos” në këtë merkato vere. Francezi i talentuar Leny Yoro ishte në lupën e Florentino Perez, por këmbëngulja e Realit për të ofruar jo më shumë se 40 milionë euro për kartonin e tij, nuk e ka bindur Lille.
Në krahun tjetër presioni i Manchester United që ka rritur ofertën në 63 milionë paund për mbrojtësin 18 vjeçar, ka dhënë rezultat. Fillimisht “Djajtë e Kuq” mbyllën marrëveshjen me klubin e Lille dhe lojtari, sipas The Athletic, po udhëton drejt ishullit për t'iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore.
Nëse në fund arrihet një marrëveshje, lojtari do të nënshkruajë me United për pesë sezone. Yoro, pavarësisht se thuajse gjithmonë kishte treguar gatishmëri për të luajtur për Real Madridin, duket se në fund është bindur për transferimin në Premierligë.
PSG ka qenë gjithashtu në garë për qendërmbrojtësin, por me më pak shance për të nënshkruar me të.
Në rast se marrëveshja mes Yoro dhe United mbyllet në orët e ardhshme, Real Madrid duhet të vendosë strategjinë për të përforcuar qendrën e mbrojtjes. Klubi tashmë ka shitur Rafa Marín te Napoli për 12 milionë euro, ndërsa Vallejo është rikthyer në skuadër, por në parim nuk do të jetë pjesë e ekipit të Carlo Ancelottit për sezonin e ri.
Sezonin e kaluar, për shkak të dëmtimeve, Ancelotti aktivizoi Tchouaméni në qendër të mbrojtjes, por këtë sezon, me largimin e Kroos, trajnerit mund t'i duhet më shumë ish-lojtari i Monacos në mesfushë. (A2 Televizion)